04 Mars 2025
BEINT dhe IKAF nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin profesional dhe ngritjen e kapaciteteve me Komunën e Rahovecit. Marrëveshja u firmos nga Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, z. Bujar Krasniqi, dhe Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.
Ky bashkëpunim do të mundësojë ofrimin e trajnimeve dhe certifikimeve të specializuara, me fokus në përmirësimin e standardeve profesionale dhe cilësisë së shërbimeve publike dhe arsimore në komunë.
Në kuadër të marrëveshjes, do të realizohet një program gjithëpërfshirës i cili përfshin:Trajnime për administratën komunale, me fokus në menaxhimin financiar, auditimin e brendshëm, kontrollin e pasurive dhe menaxhimin e riskut, për të rritur efikasitetin dhe transparencën në ofrimin e shërbimeve publike.
Zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe drejtuesve arsimorë, përmes programit “BEINT – Shkolla e Drejtorëve”, duke përmirësuar metodologjitë e mësimdhënies, digjitalizimin e shkollave dhe aftësitë drejtuese.
Viti 2025 pritet të jetë një vit i reformave të thella në organizatat buxhetore, ku IKAF dhe BEINT do të luajnë një rol kyç në mbështetjen e institucioneve publike për të avancuar standardet profesionale dhe për të ndërtuar një administratë dhe sistem arsimor më të përgatitur për sfidat e së ardhmes.
Përmes këtij bashkëpunimi, Rahoveci po bëhet pjesë e një transformimi të rëndësishëm, duke vënë në qendër zhvillimin e burimeve njerëzore si motor kryesor të përmirësimit të shërbimeve dhe qeverisjes lokale.