05 Shtator 2025
Në Mitrovicë, BEINT - Shkolla e Drejtorëve dhe Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa – IKAF, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Isa Boletini”. Ky hap shënon një moment të rëndësishëm për digjitalizimin dhe modernizimin e proceseve akademike, duke hapur rrugë të reja për studentët dhe stafin universitar.
Në kuadër të marrëveshjes me IKAF, studentët e UIBM do të kenë qasje falas në platformën digjitale IKAF Books+, një mjet inovativ që mundëson menaxhimin praktik të kontabilitetit dhe financave.
Po ashtu, marrëveshja parasheh integrimin e programeve akademike me certifikimet profesionale të IKAF-it, duke krijuar ura konkrete drejt punësimit, praktikës dhe zhvillimit të karrierës.
Drejtori i IKAF dhe BEINT, z. Bujar Krasniqi, me rastin e nënshkrimit tha:“Ky bashkëpunim nuk është vetëm një akt formal, por një hap i madh përpara drejt një universiteti më digjital, më të hapur dhe më të lidhur me tregun e punës. Nga përvojat e përbashkëta do të përfitojnë studentët, profesorët dhe gjithë komuniteti universitar.”
Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, falënderoi përfaqësuesit e IKAF dhe BEINT për gatishmërinë e bashkëpunimit dhe përkushtimin për ngritjen profesionale të stafit dhe studentëve.
Ky Memorandum i përbashkët është një model i partneriteteve që forcon lidhjen mes akademisë dhe botës reale të punës, duke e vendosur universitetin në një rrugë të qartë drejt standardeve ndërkombëtare dhe digjitalizimit.
Categories: : Njoftime, Konkurs për trajnime, Apliko për trajner, Bashkëpunimet tona